Thursday, February 19, 2009

Jam lindur diku në jug.

Jam lindur diku në jug
Ku flladi folenë ka ngritur
Ku malet mbajn përmbi sup
Legjenda, nga koha qendisur

Në fllad ime ëmë më dha jetë
Kur degëve puthej pranvera
Dhe brodha si zog përmbi fletë
E lëndinave, me keca e shqerra

Në fllad ime ëmë më dha frymë
Me fllad shpirtin e mbusha
Dhe brodha çapkën tej në lumë
Mbi kodra, mbi male e fusha

Jam lindur diku në jug
Ku Rrapi i kroit bën hije
Ku bletë e lule në muzg
Pëshpërisin fjal dashurie

Në muzg ime ëmë më dha jetë
At’here kur zgjoheshin yjet
Kur dielli një shtrati të blertë
Shkoi të flerë diku nga pyjet

Me yje e mbusha shpirtin
Si koshere e mbushur me bletë
E kënduam bashkë me Prillin
Gjith natës me hënën mbi fletë

Më veshi me hënë ime ëmë
Kur flladi valsin vallëzonte
Diku tej shtëpive, në lëmë
Ku pika e vesës kalonte

Me vesë e shuajta etjen
Si kërmill tej një lëdine
Si qingj, mesdita më gjeti
Nën hijen e një deg’ trëndeline

Trëndelina mblodha lëndinës
I mbolla në shpirt një nga një
I’u betova me jetë gardelinës
Me një unazë, i heshtur, pa zë

Jam lindur diku pranë një lumi
Ku etjen shuan dit-nata
Ku flladin kurr se zë gjumi
Ku era lanë flokët e gjata

Jam lindur diku në jug
Një fshati të quajtur Anë-Vjosë
Mbi ugare qendisur me plug
Mbi livadhe të qethur me kosë

Unë erdha në jetë në at’ kopësht magjik
Ku degëve pranvera humbet virgjërinë
Ku hëna makiazh ka vënë mbi qerpik
Ku flladi me zogjtë vallzon në lëndinë

Ja ku vij mes jush, veç t’ju them
Se shpirtin e ushqej me një botë krejt ndryshe
Me aromë trëndeline, me vesë e polenë
Me bletë, shtojzavalle, e këngë dallëndyshe.

Leonard Seiti

No comments: