Monday, October 5, 2009

Marrëzi në mesnatë !


Më puth mike, më puth pa shkak
Pa marrina ndjenjash, pa dashuri
Më digj mes buzëve të tua flakë
Dhe djersë të kripura më jep të pij

Më puth, sa ende s’ka ikur nata
Sa ende vesa s’ka rënë lëndinës
Kurrë në jetë s'kam ndjekur mbrapa
Xixëllonja,livadhit të trëndelinës

Më puth mike, më puth pa ndalur
Kam qënë këtu dhe kohë më parë
Buzëputhje të tjera më kanë falur
Mes epshesh ndezur,flakë e zjarr

Më puth mike, plot sharm e afsh
Si gjethe panje me ngjyra vjeshte
Lëkura tënde e butë,mëndafshtë
Më shkrin,si borë ngadal në heshtje

Oh,gusha tënde, si e askujt tjetër
E butë, saqë s’munda pa e prekur
Si t’mundja vallë, t’mos isha ketër
Mbi kraharor lajthitë të ishin pjekur

Më puth mike, më puth në gjak
Më deh me afsh, më lër pa mëndje
Të bje pastaj, të shkrij nga pak
Përmbi at’petal të lules tënde

Më puth mike,më puth pa ndalur
Veç më shumë mos më kërko
Shpirtin një tjetre ja kam falur
Një hyjneshe, domosdo ……

Të thash, lëndinën e njoh mirë
Veç xixëllonjë më je, që vdes
Bashk me natën në të gdhirë
Do tretesh pak nga pak, si vesë.

Gjithshka jetuam ish një përçartje
Një lajthitje ndjenjash, një iluzion
Kurrë më parë s’kam ngritur çarqe
Të kapja zemra mesnatës vonë

Ndaj, më puth, pa frikë se nata
Mbi buzët e mia do të vij të vdes
Në jetë kam falur gjithshka e pata
Gjithshka kërkova,ish një pikë vesë.

© Leonard Seiti

No comments: