
O muzat e mia, si gjethet
Të përlyera me ngjyra vjeshte
Ku vallë, erdhët më gjetët
Më rrëmbyet sonte në heshtje !?
Më kujtohet, si sot, rinia
Një parku të gjelbër i ngjante
Aty bridhnin pranverat e mia
Aty vdekja vinte të qante....
Nuk njihja trishtim e brënga
E për libra as që çaja kokë
Sot fletët kur hap, futem brënda
Si rrënja që zhytet në tokë
Më dhemb koha, në zemër,
Në kockë më therin kujtimet
Do të doja t’i thërrisja në emër
Gjith ëndrrat që më sollën agimet
Do të doja ta rijetoja rininë
Për të cilën më mbyti ky mall
Pranverën, në parq’e lëndinë
Sërish vdekjes frikën t’ia kall
Më kot futem në dëshirat e mia
Si minator’i një miniere me Ar
S’do t'mundja pranverën ta blija
S’do të jem më i ri si më parë
Nuk qahem, ky nuk është vaj
Ësht’ trishtim, ndjenjë njerëzore
Dikur, jetova si një lule Maji
Sot mbaj mbi kokë, petale bore
© Leonard Seiti
No comments:
Post a Comment