Thursday, October 6, 2011

***



Eja të shtrihemi këtu e ëmbla ime
Në k’të bllok të vjetër shënimesh
Ku ka pozuar kaq herë zemra ime
Për tablo me korrniza zhgënjimesh

Këtu, mbi k’to fletë ku kam pritur
Ku kam bredhur, jam rrëzuar e vrarë
Ku me daltën e dhimbjes kam skalitur
Një njeri më të mirë se më parë…

Në k’to fletë ku kam ruajtur kujtimet
Ku bredhin ëndrrat që thura kaq kohë
Ku vjen vjeshta të mplaket, të thinjet
Duke u përgjëruar gjer në lotë, se më do!

K’tu bredh malli si tufan i shfrenuar
Që s‘di të ndalet dhe kufijt nuk i njeh
Ma merr shpirtin si gjethe ndër duar
Në shelgjishte ndanë Vjosës ma shpje

Eja të shtrihemi këtu, mbi fletë
K’tu s’vjen dot vdekja, se ka frikë
Ajo e di, se do t’vdiste vetë
Dhe varr’i sajë do t’ish kjo pikë.

© Leonard Seiti

2 comments:

Anonymous said...

Me pelqen shume, shume, shume... ;)

Leonard Seiti said...

Mesiguri, do t'ketë qënë: Amstel!
;)