Monday, November 19, 2012

Pena e vjetër



Juve thoni se, përsëris vetveten.
Unë për të tjerët nuk mundem të flas,
Ndaj ju tregoj e ritregoj për jetën,
Rrugët që shkela, historitë që lash mbas.

Juve thoni; Asgjë e re nuk ka çelur.
E njëjta shkretëtirë gjer në kockë e etur!
Si mund ta dini kurë asnjëherë s’keni shkelur
Në livadhet e gjelbërta ku shpirti im ka bredhur!?

Lexomëni dhe një herë, mua penën e vjetër
Që koha më pluhrosi, por shpirtin s’ma shoi
Brënda zemrës sime ende ruaj, patjetër
Atë përflakje të blertë të Prilit që më zgjoi...

Ja, unë jam toka e egër e kodrave qiellore
Ku çel dielli si lule mëngjeseve kaltërosh.
Ju jeni fusha e gjelbër ku rriten lule-bore
Gjoks’i erës lakuriqe të gjithëve na joshë...

Ju jeni burimi i ftohtë ku shuan etjen vapa.
Unë jam rrëkeja që zbret nxitimthi në det,
Marrë me vete gjithçka, dhe ajo që lë mbrapa
Është gjurmë prej shpirtit që koha s’e tret...

© Leonard Seiti  

No comments: