Saturday, January 26, 2008

Unë. Ti.

Unë.Një letër e zhubritur shkujdesur
Ku ti shkrove dashuri dikur
Unë. Nje gjethe e rënë, me shi përvesur
Një pallto e vjetër e varur në mur

Një këngë që stingëllon më në tela
Kitare, e thyer e hedhur tej
Unë. Zvarritur, bredh endacak
Rininë e ikur sërish të gjej

Unë.Në kujtimet blu të së shkuares
Në valsin e flokëve të tu në erë
Në pranverën e hershme, petaleve
Tashmë me vjeshtën ulur në derë

Unë.U ula në qerpikët e tu
Porsi nata në perendim
Në hapsirën e qiellit blu
Ndeza yjet e shpirtit tim.

Ti.Nata ime magjike,hëna
Velloja e gjelber e lëndines,petal
Nostalgjia,vegim i largët hyjnor
Shpresa, që më mban të gjallë.

Ti.Rrezja e mengjeseve çamarrok
Pasqyra e thyer e detit në stuhi
Vela që me nxorri nga dallgët
Dallga që më mbyti përsëri

Ti. Ishe dora që lodroj kitarën
Zëri i shpirtit tim memec
Tani i vetëm përpiqem të shkruaj
Këngen tonë, mbetur në mes.

Unë.Hija e tretur në syrin e drites
Ti.Më vështron nga horizonti dhe qesh
Jeto pra e dashur në defrime perëndish
Ndërsa unë pallton e vjetër po e vesh.

© Leonard Seiti

No comments: