
Unë nuk di të thur vjersha,
Me fjal të mëdha, të bukura
Ndaj, me mirë bredh lëndinës
Me shport të shpirtit të mbledh flutura.
Unë nuk di të këndoj këngë,
Zëri im është i çjerrë, rrebel.
Ndaj, preferoj të hesht, në këmbë
Të duartrokas një harabel.
Unë nuk di, të loz kitaren
E vjolinen ca më pakë
Ndaj, bredh pyllit,porsi zog
E çirrem ferrave gjer në gjak
S’kam vënë gishta mbi tastier
Por, në operra them:- Kam qënë
Më ndodh të shoh herë-herë
Kur këndon era në lëmë.
Pasuri e famë s’më duhen.
I pa çadër eci në shi.
I mbaj vesh gjethes së shiut,
Kur ëmbël këndon dashuri.
Unë që linda lakuriq,
Lakuriq dua të vdes
Me shpirt të pastër, si fëmij
A ndoshta si një pikë vesë.
No comments:
Post a Comment