Thursday, February 19, 2009

Puthje Vjeshte



Kurrë më parë ,nuk kisha menduar
Me vjeshtën të puthesha ëmbël në park
Mbi stola të drunjtë me gjethe mbuluar
Nën vështrimet e hënës që sillej përqark

Oh, ç’femër ! Me ç’zjarr në buzë !
U zhvesh lakuriq ngadal, si një pemë
Më tha : I dashur, ndjehem plot muzë
A bëjmë më mirë dashuri në poemë !?

Ja putha sytë me ngjyrë aurore
Atë mbrëmje të qetë tetori në park
Pastaj një lidhëse na kapi për dore
Dhe u shkrimë të dy këtu nëpër varg

E bëmë dashuri pa ndalur, pa reshtur
Ndërkoh që nata frymëmarrjen kish ndal
Në mëngjes tek më puthte, më tha buzëqeshur
Unë jam veç një folje, je ti kryefjalë !

22 Tetor 2008

© Leonard Seiti 

No comments: