Thursday, July 9, 2009

Gjurmë mbi lëkurë !



Lëri të djegin dritën e yjeve
Sytë, që përpëlit kaq shpesh
Lidh në brez flladin e pyjeve
Lumenj ëndrrash shpirtit ngjesh

Mos e trëmb hapin e vesës
Tek zbret fletëve dalngadal
E mos prit në breg të shpresës
Por, lundro detit me valë

Lëre shpirtin të çel gjethe
Porsi pemë kur vjen pranvera
Rrënjët, përdori për rremë
Zemrën, anije me vela

Dhe le të fryhet, zemërimesh
Deti, dallgë le të ngreh
Nuk është koha të tërhiqesh
Veç një herë ti vjen mbi dhe

Ndaj,këngës tënde jepi krah
Sa të vallzoj dhe deti vetë
Dhe kur në qiell më yje s’ka
Ndiz një ëndërr dhe jepi jetë

Dhe lëri dallgët të harbojnë
Ti në gji ruan një det tjetër
Të tilla dallgë veç të pastrojnë
Këpucët, nga një llum i vjetër

Lëre të fryj, si e marrë
Era, me shpirt të trazuar
Kështu ka qënë edhe më parë
Asgjë në botë nuk ka ndryshuar

Ndaj mos j’i trishtë aspak
Lundro tej, në rrugën tënde
Se ç’do dallgë zbutet prapë
Nga një varg i vetëm kënge

Mbushe kupën plot për plot
Sa ke ende musht dhe verë
Vjen një ditë në këtë botë
Një zonjush, kupën ta merrë

Mos harro se nga ke ardhur
Ç’do gjë në pluhur kthehet prapë
Koha ç’do enigmë ka zbardhur
Është veç bosh rreth e përqark

Ajo tallet dhe me mbretin
Poseidoni s‘është Zot më
Veç ai që zbut dhe detin
Kohës, gjurmë në trup i lë.

© Leonard Seiti

No comments: