Nesër
Nesër trupi im do të shtrihet mbi disa copa druri të ftohta
Si quhet shtarti i një kufome?
Ah, po!
Nesër trupi im do të prehet mbi të heshturin arkivol prej druri
Dora e një njeriu që emrin s’do t’ja mësoj kurrë do ta ketë gdhendur kujdesshëm
Djersa e tij do të ketë pikuar aty si e fundit pikë vese
E fundit pikë,
që ai dru i prerë në pyjet ku unë ngrija gracka për të kapur ëndrra do të mund të shijoj
Nesër,
emri im do të shkruhet në faqen e parë të gazetave dhe ...
Mbas tij do të jetë gdhendur me gërma të zeza e të trasha një fjali
Një fjali nga ato që jo gjithkund mund të shkruhen
Në televizionet shtetërore dhe private do të kumboj zëri i fortë i spikirëve duke gërmëzuar emrin tim
Nesër
Do të ndodh pikërisht nesër që ju,
do t’më njihni me epitetin që sot ju nuk e lexuat dot në vagonat e trenit tim
I shkruar me shkronja të mëdha, ai rrinte i heshtur aty,
si një histori e mbushur me plot të vërteta që pret me padurim ti lexoj dikush
Ai ishte aty, në ç’do vagon të trenit që rendte mbi të ndryshkurat shina që gjarpëronin nëpër kohë
Por unë, nesër, do të jem një i pafrymë...
Një që nuk do të mund t’i përgjigjet pyetjeve të shumta të gazetarëve t’shumtë
Nesër
Emri im do të shkruhet dhe do të përflitet gjithkund
Por unë, unë vetë nuk do të jem aty
Ndoshta do tê kem dalë tej pyllit dhe si gjithmon
do të jem ai vocërraku çamarrok që pyllit të jetës ngreh gracka për të kapur në to ëndrra.
Do të jem sërish ai që ëndrrave do t’ju këndoj Këngën e Shqiponjës!
E mes tyre, më të bukurës ëndërr do ti rishkruaj Gjysma ime e ëmbël!
Por, patjetër që më Hyjnores do ti shkruaj Një këngë për Ty!
Nesër
Nesër unë do të kem një tjetër emër
Mbi arkivolin tim, në copa gazetash apo në zërin e spikierëve unë do të kem një tjetër emër
Atë që ju sot nuk mundët ta lexonit mbi vagonat e heshtur të jetës time
Nesër
Në betejën e fundit të ditë-natës
shinat e ndryshkura të jetës time do të marin një tjetër drejtim
Pikërisht nesër
Unë, qymyrxhiu që i shërben lokomotives me me lopatë në dorë do të jem dikush tjetër
Nesër,
Unë do kem ndalur trenin e jetës time diku mes pyllit të kap një ëndërr
Ndërsa në gazeta do të shkruhet me të mëdha për njeriun që në betejën e dit-natës vrau kohën
Nesër
Trupi im do të shtrihet mbi disa copa të ftohta druri
Një ëndërr, nesër do të qaj për të parën dhe të fundit herë
© Leonard Seiti
1 comment:
vertet e trishtueshme,por s'do ta shof me ate sy,dua ta shof me syte e shpirtit delikat,atij qe VETEM NJE HERE,dashuron me te gjithe forcen e tij,atij qe qan per te paren dhe te fundit here.....
GREAT!
jave te kendshme te uroj!
Post a Comment