
Do t’më mungoni, të gjithë-patjetër
Një botë më larg prej këtu po më pret
Zemrën, e shtrydha këtu mbi k’të letër
Shpirtin, kërkoheni mëngjeseve mbi fletë
Po iki, se fati im kështu e deshi
Në rrugën pakthim t’më hidhte sot
Lypsarin e ëndrrave që jeta e veshi
Me xhaketë malli,të qendisur në lot
K’to vargje, janë gjithçka më dha jeta
Në trotuare shpresash tek u enda kaq kohë
Nuk di t’ju tregoj ç’farë është vërteta
Për jetën gënjeshtër di të flas, domosdo
Lamtumirë, miqt e mi. Mos u trishtoni
K’të botë, unë e desha si askush tjetër
Në mundshi, nënës plakë të m’i thoni
Të këndoj një ninullë mbi djepin e vjetër
Në mundshi, t’i thoni foshnjës në djep,
Në barkun e nënës, në mund t’ju dëgjoj
Asgjë nuk ka vlerë nga ç’farë jeta të jep
Ç’farë jetës i jep nuk ka vlerë po njëlloj
Në mundshi, t’mi thoni brezit të ri
Se globin e njoha në ç’do kilometër
Mbas ç’do kontinenti, krejt për çudi
Dhe Zoti vetë më fliste në gjuhë tjetër
Në mundshi,më dëgjoni ! Si nënën Shqipëri
Lule më të bukur në botë s’munda gjeta
E ëmbla gjuha Shqipe,bujtur me dashuri
Është vlera më e madhe që mund t'ketë jeta
© Leonard Seiti
1 comment:
shyqyr qe e paske rregullu te strofa fundit,se shume pessimiste mu duk pre muajin prill!!! :))
pse jemi aq te mallkuar,qe memedhimbjes t'i kendojme historikisht kur jemi ne dhè te huaj??!!
Post a Comment