
Kësht’u dashka, të vdes, nëna ime
Por, ti birin tënd aspak mos e qaj
Mbi t’vjetrin djep,më tund në kujtime
Mes fushave t’blerta në Prill e në Maj
Se, ti e di mirë, atje mes gjelbërimit
Ku flatrojnë bletët, luleve plot vesë
Hodhi hapat e parë, nën diell të agimit
E çuditej, pse bari qante ç’do mëngjes!?
Por, fati moj nënë, kështu e deshi
T’mos rendja më n’ato livadhe t’blerta
Në shpinë çantën e ëndrrave m’a ngjeshi,
Me premtime boshe, aspak të vërteta
Këtu, nëna ime, unë livadhet i kundroj
E luaj me lotët e barit herë mbas here
Mjafton të mbyll sytë e nis t’ëndërroj
Dhe lëndina të blerta m’çelin mbas dere
Është i zhurmshëm ky qytet, nëna ime,
Dhe pallton ngjyrë gri prej trupit s’e heq
K’tu s’ka këndez, që thërret për agime
Veç kërrcitje kockash të tramvajëve pleq
Dhe hënën nëna ime, hënën mbi kodër
Që si ftoin, unë doja ta rrëzoja me shkop
Këtu, ç’do fëmije ja dhurojnë për lodër
Që rrugëve t’asfalta ta shkelmojnë, si top
Po ujin, nëna ime, ujin e burimit
Që freskonte këmbët e rrapit hijerëndë
Këtu, ësht’ më i mirë se qumështi i gjirit
T’mbujtur me dashuri dhe përkujdesin tënd
Më i mirë dhe se qumështi i lopës larushe,
I bejkës dhe kuacës manare qingj-dyshe
Nuk është ujë i mbushur në korije-fushe
Ndaj e shesin shtrenjt, si qumësht dallëndyshe
Por këngën e Vjosës nëna ime, nuk e kanë.
Se Vjosa, veç një është ajo hijerënda
Sa do të doja, të dilja tek bregu matanë
Ta dëgjoja tek këndonte ashtu si ja ka ënda
Por nuk mund të vij deri tek bregu nëna ime
Se dy ëngjëj t’bardhë më morën qysh mëngjes
Nuk di ç’dreqin pati, kjo lanetja-zemra ime
Që punën e sotme e ndërprehu në mes !
© Leonard Seiti
2 comments:
ububu ç'me punove me kete,me solle ndermend te tmerrshmet vitet e para,punoja e lot gelltisja,lot nga sy te lodhur qe kerkonin nje shenje apo arome te memedheut,e vargje thurja,jo kaq te bukura si te tuat,por vargje malli......flm Nard!
:(
Ndjesë nëse të lëndova, nuk ishte qëllimi im, por, ky ka qënë realtiteti i hidhur i mijra prej nesh :(
Të përqafoj
Nard ;)
Post a Comment