Sunday, December 19, 2010

***


Të solla ndër mënd mik’e vjetër
Kur ecnim si fëmij dorë për dore
Tashmë që shëtis me një tjetër
Nën petale t’bardha dëbore

Ndodh të kujtohem për ty
Si për gjethin e florinjtë në vjeshtë
Më piqet trishtimi ndër sy
Si kokërr’e rrushit në vresht

Bardhësisë vështrimi më thyhet
Kujtimi një çast më trishtoi
Krah meje shoqëza më pyet
Asgjë, ja kthej qetë, do kaloj

Ajo ka shpirtin si bora, kristal
S’kish prekur më parë buzë të tjera
Si një lule që rritet në mal
Në buz mund ta puthi veç era

Ka sytë e çiltër, si vesa
Pranverës kur ulet mbi gjeth
Më mbush me ëndrra, me shpresa
Të bardha, si bora për rreth

Të solla ndër mënd mik’e vjetër
Si gjethin që vjeshta rrëzoi
Tek shëtis krah për krah me një tjetër
Mbi borën që parkun mbuloi !

© Leonard Seiti

No comments: