
Para sajë një ikonë e varur shkujdesur
Dallgëzuar si oqeani në polin e veriut
Mbi ujë një ëngjëll i shfaqet duke ecur
Ka këmbët e kohës, fytyrë të njeriut
Ëndërr që me lot s’ta shuajta dot etjen
Më ngjan me tim bir që motit s’kam parë
Më merr sot me vete t’vij me ju të tretem
Në lotë të shëndrohem, si vesa mbi bar
S’ka erë e fllad, përgjigje s’gjen kërkund
T’ish vallë një ëndërr, a isht’ një përçart
U drodh pik’e lotit, ra për tokë e s’mund
Të çelte porsi dhimbja, me petal të artë
Ndërkoh në ikonë, hapat ecnin heshtur
Si shpirtra lakuriq me lëkurë prej malli
Koha ngrinte dallgët një nga një pareshtur
Dallga u ngjante rrudhave të mbjella te balli
Le të flas kush mundet, nata, muri, ora
Ah! Sikur të mundja veç nje çast ta prekja
Pastaj i zgjati buzët, filloj ta puth te dora
Ish jeta aty brënda, jasht ikonës vdekja !
© Leonard Seiti
No comments:
Post a Comment