
Natë e marrë! As gjumi s’më merr.
Një ndjenjë e hollë zgjuar më mban
Mendimet e lëmshta shkon e m’i tjehrrë
Me qerpik perëndimesh të kuq, në savanë!
Më thoshte im at’, sa herë, më kujtohet
Ç’do gjë q’e humbet në jetë, më s’e gjen
E fati nuk deshi që mëngjesi të zgjohet
Me vesë të kristaltë mbi petal, e polenë
S’po qahem, ç’do gjë ka kohën e vetë,
Veç ndjej një boshllëk k’tu, në kraharor
E shenjtë më ka mbetur lëndinë e pranvertë
Ndërsa puthem me gjethin e verdhë k’të shtator
Jo se hiç nuk dita, as se s’qesh i pjekur
N’atë kohë kur lulëzonte luledelja në lëndinë
Por se, jeta shpesh nëpër udhë më ka hedhur
E një çantë me ëndrra kam mbajtur mbi shpinë
I humba dhe ëndrrat, e gjumi më braktisi
Tashmë i ngjaj një zogu të vetmuar në shi
Kjo ndjenjë me aromë vdekjeje shpirtin ma grisi
Ndërsa çarçaf’i qiellit tim ësht’ kthyer në s’tuhi !
© Leonard Seiti
No comments:
Post a Comment