Sunday, February 13, 2011

Ndjenjë e etur


Dua të pi, të dehem sonte
Ku ta gjej lotin që më deh ?
Nga gjith misteret e k’saj bote
Ti je e vetmja që s’ka atdhe…

Të kam kërkuar mëngjeseve blu
Mbrëmjeve vonë kur dielli hesht
Shtegëtar kam bredhur kuturu
Me shpirt të vrenjtur si Re në vjeshtë

Ndanë Danubit të kam kërkuar
Në arena valsi, atje, në Vjenë
Thonë se, vet vdekja e maskuar
Merr nure vashe, e shkon kërcen

Thonë se, kur zbret hëna të pi ujë
I ngjan një mjelme t’bardh, dëborë
Fillon një garë plot zhurmë e bujë
Me këngëtarë, poetër dhe piktorë

Kam kaluar detin dhe oqeanin
Me velë të shpresës mbi valë vitesh
Kam pyetur erën dhe tufanin
Por askush nuk dinte, ku lind e rritesh

Në mes t’acarit të kam kërkuar
Me sytë e ngirë, por zemrën zjarr
Se brenda gjoksit më rri zgjuar
Një ndjenjë e ndezur në flakë, pishtar

Të kam kërkuar në zemër të syrit
Mes mijra syve të qiellit blu
Por, as atje, në dritë të yllit
S’munda t’i gjej dot sytë e tu

Ku ta gjej lotin tënd, të dehem !?
S’më dehin dhimbjet, as verë e vjetër
Kaq vite ikën, e mbas nuk kthehen
Veç rrugë pafund dhe asgjë tjetër...

© Leonard Seiti

No comments: