Friday, February 11, 2011

***


Pak vargje t’ëmbla dhe unë i kam shkruar
Por, ju u nxituat kur më quajtët, Poet
Prandaj kam ardhur, t’ju flas ca më shtruar
Të ulem mes jush, t’ju tregoj një të fshehtë

Se, s’mund dot më gjatë ta ruaj në zemër
Në rrugët k’u rrita unë e gjeta një mëngjes
Si gjurmë të lënë mbrapa, shenjë e paemër
Që më ftoi ta ndjek mbas, deri sa të vdes

Prandaj, ndonjë varg e kam shkruar dhe unë
Por, jam më I keqi poet që fshati im njeh
Oh! Sikur t’ndodheshit veç një herë në lumë
E t’shihnit se ç’vargje-dallgësh, ai di të ngreh

Të lexonit se ç’shkruan një parmëndë e vjetër
Kur në Mogila shkon të lëshoj shpirtin e sajë
Do t’kuptonit se, asnjë varg i hedhur mbi letër
Kurrë s’do t’mundësh, atyre vargjeve t’iu ngjaj

Veç të dëgjonit erën, kur reciton tej në lëmë
Një ndjenjë e hollë do t’iu mbështillej në gji,
Një bretkosë ndanë përroi dikur më pat thënë :
-I ngjan puthjes së vjeshtës me leshërat flori

Prandaj kam ardhur, t’ju them pa dorashka
Se jam me I keqi poet që gjendet në fshat
Shumë herë më bukur shkruan sorra e laraska
Bretkosës ndonjë herë ja kaloj, me pak fat !

© Leonard Seiti

No comments: