Sunday, October 30, 2011

***

Kam puthur buzë dhe më parë
Asnjë shenjë tani s'u ka mbetur
Se një ëndërr q'e thura përmbi bar
Me një pikëz prej lotëve i ka tretur!

Pra eja dorë-akull, më merr
Ëndërronjës unë jam, ti s'ke faj
Do të doja ta prekja veç një herë
Buzën e njomë të lule-mollës në Maj

Më merr, s’ka gjë se kalbësira
Dhëmbët do m’i nguli në eshtër
Ëndërroj, por s’besoj në mrekullira
Gjithçka në k’të botë është gënjeshtër

Ndaj mirësevjen, hyr pa trokitur
Jo gjithmonë një djalosh ty të pret
Se buzët e tua e kanë shijen e hidhur
Por mes gënjeshtrave ti je një e vërtetë!


© Leonard Seiti

No comments: