Thursday, October 13, 2011

Grua

Ti s’je thjesht dashuria ime
Ti je pema, je fruti, je gjeth
Je vesa e kristaltë n'agime
Je era që gjoksit më bredh...

Ti je shiu, je loti, je fjalë
Je vala që shkëmbin e tret
Je mbrëmja ti, muzgu, je mall
Gjumi që krahëhapur më pret

Je hëna ti, je dielli, je dritë
Buka e ngrohtë që më ndjell
Je qumështi që fëmijën e rrit
Toka ku unë ëndrrat i mbjell

Je qielli ti, pa fund je, pa skaj
Je zemra ku shpirtin kam lënë
Je blerimi, lëndina je, je Maj
Je fryma ti, dashuri je, je nënë….


© Leonard Seiti

No comments: