Wednesday, January 16, 2013

Ada



Vajza e vogël e qiellit
Fustanin lagur në det
Shihte zogjtë t’i iknin në lindje
Perëndimit t’i kthehen i pret.

Me sytë e çiltër prej fëmije
E kancerin q’e bluante në gjak
Gjeti forcë, si bekim perëndie,
Fluturoi, por isht’ pak, shumë pak!

Në dhimbje e zuri gjumi
I thellë, si vdekja vet
U zgjua! Diku, një buzë lumi,
Një dritë, një shpresë, një jetë.

Lagu ballin, freskoi mendimet
Shkroi emrin e sajë në furtunë
T’hidhura i kishte kujtimet
Por gjumin edhe më shumë!

Fëmija e lindur nënë
Humbi një sy, një gjoks, një krah
Si molla, gjysëm e ngrënë
Por rrënja kurrë nuk u thah!

E martuan pa dëshirë me një plak
Por lidhja nuk shkoi gjatë
S’mjaftuan plagët në shtat
Por e zu’ dhe një dimër i acartë!

E shkundi borën prej supeve
Kishte ardhur koha të çel…
Ende gjysma e mollës së kuqe
Në dhëmbët e gjarprit kisht’ ngel’!

Vogëlushja e lindur në yje
Lagur fustanin në det
Pret zogjtë të kthehen në pyje
Fluturimin të nis ajo vetë…

© Leonard Seiti 
Wednesday morning 3AM

No comments: