Monday, May 13, 2019

The Broken City



Gumëzhin qyteti im,
Me kockat thyer keq
Humbet kohë të pakthim‘
Nën kollën që e heq‘
Prej tymit të pamasë
Prej plagës pashërim
Në gjakun e parasë
E fjalëve pakuptim!

Mëngjesi e gjen lodhur
Mesdita të mërzitur
Mbrëmja gjysmë vdekur
Nata rraskapitur
Në rrugët e përbaltura
Ku trotuar nuk gjen
Në parqe imagjinare
Që fshihen në Eden.

Vështirë të thuhet pak
E shumë më tepër s’vlen
Gjatë natës kullon gjak
Gjatë ditës helm në gen!
Formulë koha nuk gjeti
T’i japi fund marrëzisë
E gjema-gjemë mbeti
Nën thundrën e babëzisë.

Po ku është vallë njeriu
Që humbi nën një gjurmë?
Çka mbeti pas, çfarë mbiu
Është kaos edhe zhurmë!

© Leonard Seiti Wednesday Morning 3AM


No comments: