Thursday, April 9, 2026

***



 
E ndava bukën me vetminë,
Tek gdhendja kohën me një daltë
E shita lirë profecinë,
Për një grusht pluhur, a pakëz baltë!
 
I dhashë emër çdo gabimi,
E çdo rrëmuje i vura fre,
Por zemra prapë si erë e marrë
Kërkonte shtratin përmbi re.
 
Nuk ka faj, as ka pendesë,
Në këtë treg ku s’blihet gjë,
Veç rrahja që s’ka rreshtur kurrë,
Dhe e vërteta që s’bën zë...
 
I hoqa petkave shkëlqimin,
I lashë ëndrrat diku pas dere
Kjo është çka ndodh kur nata vjen,
Si vjeshtë e marrë që bën potere…
 
Për një çast ndoqa flirtin
E lashë hijen të ecë pa mua
Nuk isha unë që shita shpirtin
Por shpirti që s’dinte se ç’dua…
 
Dhe ja ku jemi, fund’i lojës,
Me xhepa zbrazur, po shpirtin plot
Një buzëqeshje karshi greminës,
Asgjë nuk humbe në k’të botë!
 
Një "Amen" i thyer, gotë e zbrazur,
Dhe zemra që vazhdon e rreh
Thjesht se s’di ç’farë të bëj tjetër
Nga ç’bëri dje apo pardje...
 
© Leonard Seiti Wednesday Morning 3 AM


No comments: