Kur të bien këmbanat do të kuptosh
Se, bota s’ra dhe u thye si qelq,
Nga ëndrrat e një vogëlushi,çamarrok,
Që tik-taku i kohës ja prishi si për dreq!
Se, nëpër vite, duke ndjekur kohën,
Ëndrra të tjera thuri pafund
Dhe ra, u rrëzua, diku nga një ëndërr
E u plagos në shpirt, sa më nuk mund….
Nën zilkat e njëmijë e një mëngjeseve,
Kur zgjimet të kërkojne diçka të re,
Në hapsiren boshe të një shpirti të humbur
Ti kokën lëkunde, por mbas mos e kthe
Ruaji kujtimet për smogun e lagur,
Nga shirat e para te vjeshtës që vjen
Nëse kërkon t’më gjesh mes pluhurit,
Nën shiun e ftohtë veç veten gënjen.
Ruaji fort ato që kaq kohë dhurova,
Fjalë, veç kaq, dhe dy sy memec
Nje mëngjes të prillit kur unë u zgjova
Mallkova botën, e dërgova në dreq.
Ndaj, shpirtin se ruaj nga dhimbjet aspak
Por buzagazin sërish kudo ma gjen
Madje, dhe kur bje e çirrem, a vritem
Nga plumba vargjesh, këtu në poemë
Në ëndrrat që thura dikur, dhe sotë
Një arrë që thyeva, e ndava me ty
Në thelbin e sajë kuptova, se thelbi,
Nuk qëndronte thjesht në dy sy
E lodha veten, pa meshirë, e vrava
Se desha të dija, ku qendron fundi im!
Ty, në shpirt, veç me zemrën të ndava
U ushqeva me gjak dhe me dashurinë
Ndaj aq më bën, se ç’thone lartë e poshtë
Se tashmë, gjithshka, u shkrua, mori fund
Shiko pak nga brënda në mjergullën me hënë
Zilkat e mëngjesit që koha po i tund
Oh! Unë e di mirë se, do të kuptosh
Se desha vetëm të jem si të gjithë
Pak fëmij, plak, grua a djalosh
Pak lule, trendafil, gjëmb apo hith.
E megjithatë, dhe në s’mbetet gjë,
Nëse harresa, me pluhur do mbuloj
Ndoshta, në vjeshtë, kur të fryj e të bjerë,
Shiu poshtë pluhurit, diçka do zbuloj !
E do të mbijnë si luledele, lëndinave
Të prillit magjik, që më solli në jetë,
Rrebele, do kumboj, një këngë e vjetër
E sherranit, çamarrok, fëmij kokëshkretë.
E ndoshta, koha do të fryjn në vesh
Tinguj banal, te këngës, do kujtosh
Krrusur nga koha, do mundohesh t’më gjesh
Kur të bien këmbanat, do mundohesh të kuptosh.
Do kuptosh, atë që po lind, atë që po vdes
Mëngjeset me bilbil që u shurdhuan në vjeshtë
Ëndrrat e thurura, të perzjera me vesë,
Tingujt e kitares, që u denua të heshtë
Do kuptosh, se, bota s’mbaroi këtu
Nje ditë e re që po lind do të zgjoj
Zilkat që bien, jo më kot, kuturu
Një dorë magjike nga lartë i lodroj
Do kuptosh, kohën qe shkroi mbi fletë
Penën magjike të mëngjeseve me bilbil
Velën e ëndrrave të braktisur në det
Të vogelushit, çamarrok, lindur në prill
Dhe kur t’më dëgjosh të drejtohem në emër
Mos u çudit, nëse për një cast nuk më njeh
Koha, kujtimet i ruan në zemër
Përzjere me ritmet e ç’do dite të re.
Ndaj, ndalu për një çast dhe shiko
Diku në qiellin e kaltër, pafund
Lëre vetveten të lundroj nëpër kohë
Me velën e ëndrrave që era e tund.
Dhe do të kujtosh, një femijë çamarrok
Që në pentagramet e kohës,këngë për ty shkroi
Dhe zgjoi në kujtesë një ënderr të vjetër.
Me këngën magjike që koha e këndoi !
Ndaj, kur të bien këmbanat, do të kuptosh,
Se nën dritën e diellit dhe të hënës së heshtur
Me shpresa dhe ëndrra pa fund, një djalosh,
Vrapoi kaq kohë, në jetë, pa u reshtur.
Ndoshta do të trishtohesh, do të ndjehesh keq
Për gjithshka që koha, mbas nuk ta kthen !
Një ditë të akullt dhjetori, si për dreq,
Gjethe trishtimi nisën të bjenë.
Kështu, u zhvesh ajo pemë, që dikur,
Lulëzoi si me magji, plot gaz e hare plotë
Një zemër u kthye papritur në gur,
Një shpirt u mbyt, u tret në një pikë lotë
Do kujtosh, ndoshta, një kengë të vjetër,
Që plot dashuri t’u pëshpërit në vesh !
Do të mbyllësh sytë, për tu zgjuar diku tjetër
Në një tjetër vënd do kërkosh që të jesh.
Ndoshta, do t’më gjesh në rrugë, tek vrapoj,
I veshur me dashurinë, mungesën dhe mallin,
Kostum, që ti dhe koha ma dhuroi,
Një natë dhjetori, në paqe me djallin.
Do kujtosh,se, në të shkuarën e largët
Dikush te pati thënë, se, do të vij një ditë
Do më gjesh, sërish, diku mes flakësh
A në prushin e mbuluar, nga pluhur i hirtë.
Dhe ja ku jam, sot, mbi k'të letër,
Më gjen sërish, tek heshtur po lexon
K’të skandaloz, që shiu i vjeshtës
Nën pluhurin e kohes, sërish ta zbulon.
Dhe heshtur do të vijnë ndër mënd,
Pak çaste nga e shkuara, do të ndjesh mall
Unë, jetova nëper kohë, me plagën që dhëmb,
Dhe vdiqa mbi k’të letër, për të mbetur i gjallë.
© Leonard Seiti
No comments:
Post a Comment