Sunday, June 1, 2008

Letër Gjyshit



Tungjatjeta i dashur gjysh, nga larg
Me postë po të nis sot këtë letër
Një ditë, do të vij, do të piqemi prapë
Diku poshtë shtëpive, tek udha e vjetër

E di, do t’më presësh aty ku u ndamë
Aty ku më urove udhën e mbarë
Të kujtohet gjysh, sa kokëshkretë, sharlatan
Fëmij çamarrok kam qënë më parë ?

E pra, sot, po të them diçka ndryshe
Nuk jam më, ai vogëlushi çapkën
Dhe pse e di, do ta vësh në mëdyshje
Se koha kostum të ri më ka dhënë !

Tashmë o gjysh, jam plot tridhjetë vjeç
Ndërsa ti më je një botë më larg
Në atë botë, ku mosha s’matet veç,
Se me dritën e yjeve që vezullojnë përqark

U ndamë i dashur gjysh at’ mëngjes
Duke thënë: Mirupafshim, në ëndrra blu.
Hingëlliti kali i hekurt dhe, në një kthesë
Humba nga vështrimet e syve të tu.

Është bër koh qysh at’here, i dashur gjysh
Aq sa, është thinjur dhe koha vetë
Më ndje o gjysh nëse gjat më prite
Tek udha e vjetër, ku u ndamë për jetë.

Pa lexo, ç’të shkruaj gjysh i dashur
Ndërsa plakem me kohën dhe unë dalngadal,
Shpirt e zemër më janë ënjtur, janë trashur
Jam goxha i pasur , kam një mal me mall.

Madje, ç’do ditë pasuria më shtohet
Së shpejti mund të jem një i pasur me famë
Pa frikë se shpirti një ditë do dorzohet
Dhe zemra do pëlcas, ngaqë më nuk mban.

Lexo gjysh i dashur ç’të shkruaj, lexo
Thonë lart e poshtë se jam bërë poet !
Si çamarrok Prilli që jam, domosdo
Dhe vesën e mëngjesit se lashë të qetë.

Ti do t’më buzëqeshësh ëmbël , e di
Pastaj do më pyesësh për ç’thash më lart !
Ironikisht, do t’më flasësh për kostumin e ri
Që koha dhe mosha ma bënë dhurat.

Oh, i dashur gjysh, e di, ke të drejtë
Para teje unë mbetem gjithmon fëmij
I njëjti, si at’here kur erdha në jetë
Si at’here kur luaja me zogjtë në avllij

Dhe ja, si fëmij po të shkruaj k’të letër
Nga kjo botë ku njerëzit ndahen prej së gjalli
E ndoshta aty, n’atë botën tënde, tjetër
S’ekzistojnë ndarja, largësia dhe malli

Të përshëndes, i dashur gjysh, nga lrag
Më fal, do të vonoj, ndoshta dhe për pak
E do të vij kur perëndim i kuq të lulëzoj
Me petale ëngjëjsh të çelur përqark

E di, do t’më presësh krahapur sakaq
Do ç’mallemi te dy, në përqafime blu
E pastaj si fëmij çamarrok do të dal
Lëndinës së qiellit do të bredh kuturu

Do kalëroj ylbere, si dikur shilarësin
Hënës, si fluturave nga pas do ti bredh
Yje lëndinës së kaltër do këpus
Dhe çantës së shpirtit ngadal do tia hedh

Deri at’herë, gjysh i dashur, gjith të mirat
Të përqafoj dhe një herë para se ta mbyll
Posta e këtushme s’u shërben hapsirave
Ndaj k’të letër po ta dërgoj me një Yll.

© Leonard Seiti


 ... Kurshtuar Sulo Seitit, gjyshit tim të dashur.

4 comments:

Suzana Zisi said...

Pershendetje Leonardo!
Me pelqeu shume poezia kushtuar gjyshit. Unike, e realizuar artistikisht, e ndjere, emocionuese, me ngjyra te ngrohta.
Ja pra qe poezine nuk e bejne metaforat dhe metonimite, e ben shpirti, ndjenja, dashuria, muzikaliteti dhe mendimi.
E tere poezia eshte solide dhe funksionon si nje metafore e vetme.

Te uroj frymezim dhe fat!

Te perqafoj...
Suzi

Amour Monde said...

sh leter e bukur vertet sh e bukur,
ndjes pas gjyshi.

Anonymous said...

Ca te them une ketu....se di se skam shume fjale me thene me shume i ndjej....po sado bukur mund te shkruhen nuk krahasohen me ate cka ndjen,.....eshte shume e madhe....me beso...e provova diku aty tek mosha 12...eeeh...sa e kam perjetuar...kam qare gjithe naten dhe dridhesha e tera....edhe para se te largohesha nga spitale ate dite...e pashe dhe njeher...u ktheva edhe e gjeta me ate pozicionin e tij mbrapsht ne karrige...edhe i thashe : "Gjysh...a do te rri une ketu me ty"???/dhe nuk me ikej....sikur dicka ndjeja.....eeh........sdiii..........

Anonymous said...

Shume bukur Leo,
..Komunikim gjaku , komunikim brezash me largesi ne mes,pershkrim me shume ngjenja si gjithmone nga shpirti Yt i thelle.
Poezia "Leter Gjyshit" eshte nje gjerdan me plot pika vese qe shuajn etjen e nje malli, etjen e nje dashurie fisnike per Gjyshin dhe Vendlindjen...
Prape bashke ne pikepjekje* te lumt Leonard!
Me nderime,
Bili,USA