Friday, August 8, 2008

Shtëpija ime e ëmbël dhe ullishtja ime për'rreth.



Zemra, plagë më mbeti,
Se ilaç s’pati kjo botë
Përveç se helmin kurbet,
Dhe ndarjet e trishta në lot

Mundohem më kot sakaq
Ilaç zemrës ti gjej
Dhe dal në muzgjet plot paq
Me flladin në duet fërshëllej

Më kujtohet shtëpiza e artë
Rrugët ku brodha, fëmij
Hëna që zbriste nga lart
Dhe ulej si zog mbi çati

Sjell ndër mënd një gur
Tek bridhja dikur çamarrok
Më puthi në ball, tër nur
Një ditë, tek u rrëzova për tokë

Oh, sa dëshirë që kam, sërish
Gjer në gjak të puthem me gurin
T’më bëhet e kuqe e bardha këmishë
Ta lidh në shkop, ta valvis si flamurin

Më ledhaton ky fllad i mbrëmjes
Me aromë malli përzjerë
Hëna më duket si gjeth
E zverdhur, gati të bjerë.

© Leonard Seiti

2 comments:

Anonymous said...

Nard, kjo eshte fotoja qe kam bere une(ne mos gaboj)?
E ndjere poezia...

Leonard Seiti said...

Jo Su jo, nuk është ajo, është tjetër.
Uroj që t'ë jesh duke kaluar mirë.
Nardi