Thursday, March 26, 2009

Shpirt i blertë



Ja ku rikthehem sërish mbi livadhe
Nën ritmet e erës valle të hedh
Të puthem me lule, zogj e shtojzavalle
Me shportën e shpirtit flutra të mbledh

Degëve të pyllit trupin ta çjerr
Në duet me erën të nis e këndoj
Kur vesa e mëngjesit mbi petale të bjer
Zogun e diellit nën ritme ta zgjoj

Me gurgullimat e ujit tej në burim
Si nota, derdhur pentagramesh
Të shuaj etjen e shpirtit tim
Të fle si qingj nën degë bajamesh

Gjethes së shiut ti mbaj vesh i qetë
Tek puthet me tokën plot dashuri
Hapin e stinëve që bredhin mbi fletë
Ta ndjek nga mbas, porsi fëmij

Të puthem me borën e bardhë në mal
Tek bje e dridhet plot përtes
Të shkrij me boren dalë-nga-dalë
Dhe drejt livadhit sërish të zbres.

Jam pjesë e natyrës e shpirtit të saj
Jam djersa e erës, një pikë vese
Jam kënga e hënës në mbrëmje maji
Jam shpirt i blertë, një gjethe shprese.

© Leonard Seiti 

1 comment:

xhenius said...

...degeve te pyllit trupin ta çjerr..

vertet mallengjehem me frymezimin qe te jep dashuria per natyren;ne fakt eshte aq e virgjer,e larmishme,harmonike....