Saturday, August 8, 2009

Vjeshtë në shpirt !



Mbi rrugicat e ëndrrave të kërkova kudo
Por gjurmët e tua vjeshta kish mbuluar
Me gjethet, si kufoma pa shpirtin në to
Dhe mjegullën që bridhte mbi to e vetmuar

Krahët e dëshirave mu thyhen një-nga-një
Me gjethet, dha shpirt dhe e fundit shpresë
Kanë mbetur veç kujtimet, memec, të pa zë
Si relike të vjetra, të ruajtura me kujdes….

Sa shpejt që rrjedh koha dhe nuk e kuptojmë
Si ç’do ditë e nga pak lëkura jonë ndryshon
Se ne jemi veç gjethe që në pranverë blerojmë
Dhe zverdhemi ngadalë, gjersa vjeshta na rrëzon

E di,ti beson se ka parajsë!Unë thuajse kurrë
Në qoft ashtu,unë do t’përfundoja në ferr
Por në k’të jetë, unë desha të të prek në lëkurë
Ku askush në parajsë s’do t’mund ndonjëher....

© Leonard Seiti

4 comments:

meditime-pershtypje said...

Une do te gjeja dhe ne fund te botes
O ti zoteri i "njebotemelarg"
Se vetem ketu i bej"strehe"kokes
Se aq me pelqen i yti varg.

Vargu i zgjedhur,pa sforco,po lirshem
Te duket si tabllo"natyre e qete"
Dhe,domosdo,une vij si natyrshem
Te clodhem tek ky blog;dhe clodhem vertet.

Ndjej kenaqesi se mendjen s'e vras
Sic ndodh me "modernet",allamarsiane
Vargu dhe blogu yt me relaks
Kaq me duhet,mua,plakut mjeran.

Perqafime,Perparim Hysi
12 gusht 2009

Leonard Seiti said...

Përshëndetje Z/ Përparim

është ora 1:10 minuta tani që e hapa adresën e e-mailit dhe vura re mesazhin me vargje tuajin.

Në pa mundësi të krijoj vargje të reja tani, mbasi jam dhe i lodhur, po Ju përshëndes me të njëjtat vargje që kam përshëndetur Z/ Agim Doçi dikur në Forumi Shqiptar mbasi më shkroi se :
Nje pike vese une do ta pija
si nje kermill permbi petale
me vrap drejt teje, sonte do vija
si peng i ri, i nje tog fjale.....

Përgjigja ime e dikurshme, sot, vlen dhe për Ju, në pamundësi të krijimit të momentit. Por më shumë ditë vijnë se ikin, ndaj do të kem ndoshta mundësinë një herë tjetër.

***

T’më vish, ti njeri i mirë mbi petale
T’më vish, si kristali i vesës në agim
T’më vish, si strofë, a si një tog fjale..
T’më vish si fllad, a si pshehrëtim...

Ti eja si të duash, si borë kristal...
Eja, si perëndim i heshtur, a mëngjes
Eja, si diell mesdite, si zjarr
Eja, si këngë e lagur në djersë

Mua do t’më gjesh kudo mbi petal,
Me klorofilën trazuar kudo përmbi fletë.
Nën muzgjet e kuq, ngarkuar me mall...
Në pentagramet e Prillit që më solli në jetë.


Përshëndetjet e mia dhe përqafime gjithashtu.
Me respekt
Leonard Seiti
13 Gusht 2009

meditime-pershtypje said...

Agim Doçi të ka shkruar bukur,por dhe ti bukur ia ke kthyer:me të njëjtën monedhë.Agimi,tanimë,ëshët zë madh se nuk numërohen vjershat e tij që janë bërë këngë.Kënga del e bukur se ka tekstin të bukur.Veç profanët që rrëmbehen nga këngëtari,harrojnë se meritën e ka,veç tjerash,autori i tekstit.As mos u ngut që të thurësh poezi për t'm'u përgjigjur mua.Unë s'kam se ç'bëj dhe dal njëherë këtej nga"njebotemelarg",se për vete në fund të botës jam.
Përqafime,Përparim Hysi
12 gusht 2009
P.S.
Mbase dhe e di,po dhe unë xhëku tentoj të shkruaj dhe kam dhe një blog:perparimhysi.shqipo.com

Leonard Seiti said...

E dija që shkruanit, kisha gjetur shkrime tuajat në internet, por nuk e dija blogun, tani që e mësova, do të vij dhe unë andej, për një kafe dhe një dorë muhabet, e pse jo, t'ja pleksim një dorë letrash me vargje.

Ditë të bukur Ju uroj dhe mirëupjekshim në "kafenenë" tuaj së shpejti.

Me respekt
Leonard