Tuesday, October 6, 2009

***



Një ndjenjë, si foshnje e mora në duar
Me mëngjeset e pranverës e ushqeva,u rrit
Mbi flokët e vjeshtës e lëshova përmalluar
Si një vello Aurore që prej s’largu shëndrit

Ja kreha erës flokët e shpurpurisur
Mbi djepin e kohës e tunda mendimin
Me zarf, një ëndërr qyshkur e kam nisur
Vulosur me diellin që s’kuq perëndimin

Ka kohë që me natën puthem pa shkak
Mes epshesh shkrihemi një trup që të dy
Nën vërshtrimet e hënës mbi pemët në park
Si një monedhë e argjendë e harruar aty

Si një ide brilante të sjell ndër mënd
Flutur-buzëqeshja përplas krahët nxituar
Ajo vjen të gjen aty-larg në vëndin tënd
Për tu tretur mbi buzët e tua e përmalluar

Nuk di sa netë janë bërë qysh at’herë
Kurë,si një ndjenjë në shpirt erdhe m’u ule
Mendimet,si gjethe m’fëshfërijnë nëpër erë
E dëshirat mbaj në duar,si një tufë me lule


© Leonard Seiti

2 comments:

xhenius said...

.....
e deshirat mbaj ne duar,si nje tufe me lule.....

i larget kujtimi,e fresket poezia!

Leonard Seiti said...

Qëllove si kalama o Mane :) hahaha

E ke pikasur Xheni :)