Wednesday, December 16, 2009

***



Lëngoi kjo natë në kopshtin tim
Si një korb i zi me krah të thyer
Në kopësht pemët pshehrëtinë
Ca fjalë të njoma,me mall përlyer

U këput dhe hëna nga një degë
Si gjeth që vjeshta ngadal rrëzoi
Ra përmbi rërë përtej në breg
Dhe valë e dhimbjeve e mbuloi

Zbriti dhe dimri n’kopështin tim
E gjethe t’bardha lëshoi fije-fije
T’heshturit qeparizë kopështit i rrinë
Si dru varrezash përtej në korije

Varur mbi supe më rri kjo natë
Si xhaketë e vjetër e grisur në kohë
Dhe gjumë në sy nuk ndjej aspak
As ëndrra boshe nuk shoh domosdo

Zemra furishëm më rreh dhe ndjej
Si gjaku në vena vrapon me nxitim
Por brënda xhaketës më nuk e gjej
Rininë që iku tashmë në pakthim…

E heshtur lëngon në kopësht kjo natë
Me mijra kujtime m’i sjell ndër mënd
Oh, natë e dimrit, një shekull e gjatë
Si një orë e vdekur, pa zërin tënd ….

© Leonard Seiti

No comments: