Wednesday, April 7, 2010

Ëndrra ime !


Ëndrra ime është shtegëtare,
Është zog që vjen dhe ikën larg,
Është diell mëngjesi në dritare
Stinë, që bredh gjithkund në park

Ëndrra ime është fllad pranvere
Bletë, që luleve mbledh polenë
Ajo është vjeshtë, plot huqe ere
Shqiponjë që maleve ngre folenë

Ëndrra ime ka sytë e jetës
Mbi trup mban veshur dashurinë
Thellë në shpirt i ngjan Zhulietës
E brishtë, besnike, gjer në flijim

Ëndrra ime është dritëz Hëne,
Është Aurorë e vjeshtës s’vonë
Më vjen e ngrohtë, si puthje nëne
Përçdo mëngjes, ëmbël më zgjon

Ëndrra ime është varg mbi letër
Me ngjyrë malli, lagur në lotë
Shpirt që rrjedh nga penë e vjetër
Fjalë, që ngreh mbi sup një botë


© Leonard Seiti

No comments: