
Nuk jam Poet, s’mbaj letër, as penë
Këngët e zemrës askush nuk m’i di
Asnjë s’më ka parë tek mblidhja polenë
Mbi buzët e vjeshtës me leshërat flori
Askush nuk e di se, grindem me Prillin
Për gjirin e Pranverës që na solli në jetë
Pastaj nëpër pyje duke ndjekur bilbilin
Me shportën e shpirtit mbledh flutra e bletë
Në mbrëmjen e mallit askush nuk më pa
Mes detit të lutjeve tek rremoja i heshtur
Mbi varkën e shpresës që jeta ma dha
Drejt një shpirti-far që digjet pa reshtur
Askush nuk e di se, tek lëmi i vjetër
Kam hedhur valle me erën deri vonë
Bretkosën e lidha në kurorë me një ketër
Trëndafilit për nuse i bëra një shqiponjë
Nuk jam Poet, unë nuk di të thur vargje
Me fjalët, kurrë nuk kam bër tregëti
Më mirë dal maleve të ngre leqe e çarqe
Të kap zogun e diellit që do të lind përsëri
© Leonard Seiti
No comments:
Post a Comment