Saturday, July 24, 2010

Emri im është Askushi !


Sa dua sonte të të takoj o mik i vjetër
Pak fjalë të rrugës t’i shkëmbeja me ty
Në mungesë, mendova t’nisë k’të letër
Me copëza nga rruga ku shkelëm të dy

Emri, s ’më kujtohet më s’i ma thonë
Vetë koha e ka fshirë nga rregjistr’i vjetër
Dhe rrugëve, t’gjith kalimtarët më njonë
Si udhëtarin-endacak, me pallton e vjetër

Udhëve t’askundit, me duart në xhepa
Endem lartë e poshtë, me erën fërshëllej
Një udhë-qorrsokak m’isht’e gjithë jeta
Ndaj, veten shpesh me ëndrra e gënjej

Por, n’ëndrra veç, aty jam krejt ndryshe
Çdo mbret i kohrave do t’më kishte zili
Udha ime aty m’është krah dallëndyshe
Mjafton ta përplas, e në çast jam tek ti

Gjithshka që pata mik, më nuk e kamë
Veç palltoja e vjetër n’sup më ka mbetur
Dje, emrin e kërkova tek varret m’at’anë
Më kot, se gjeta! Ndoshta s’kam vdekur !

Do më njohësh mik, do t’kujtohem patjetër
Sëbashku kemi drekuar nën hije rrushi
Për kohën që shkoi, të shkrova k’të letër
Nisur prej askundit, firmosur nga Askushi !

© Askushi / Leonard Seiti

No comments: