
Ëndrra, t’ëmblat ëndrra
Që më gënjeni për ç’do natë
Pa prisni pak, të vij mëngjesi
Me të vërtetat dhimbje, gjak
Mëngjeset, që s’më kanë vlerë
S’më ka më shije as duhani
Fluturoni ëndrra, me krahë n’erë
E shpirtin tuaj prej meje, e ruani
S’më dehin pijet që derdhen lumë
Tek i kthej t’përziera një nga një
Më dehni ju, sa herë, në gjumë
Mes duarve t’nënës m’çoni t’flë..
Kur mesdita nis kreh flokët
E pema - diellit lavde i thur
N’hije t’sajë mblidhen korbët
Me sqep m’skalitin ç’do ditë qivur
Më jep të vjella muzika e bareve
Ku bëjnë pazaret, mijra çakenj
Puthjet e kurvave q’u falen pareve
E famës së grykësve barkmëdhenj
Më jep të vjella këmbanë e kishës
Ku për ç’do ditë krishtin e vrasin
Trembet dhe ketri n‘majë të pishës
Kur prej xhamisë nis të bërtasin
Asgjë s’ka shije, jam k’thyer në gurë
Tek miku thikën mbas shpine e mpreh
Të gjithë sa njoha mbajnë flamurë
E grinden se kush më lartë e ngreh
Unë jam tej kodrës ku fryn tufani
Krejt lakuriq si një gurë i heshtur
Ku vallzon xhindi dhe shejtani
E bashk me ta dhe zot’i zhveshur
Poshtë në rrugë , kuajt e hekurt
Më ftojnë për udhë pafund, pakrye
Por përgjat rrugës ku bredhin shekujt
Ç’do pemë e drejtë u preh, u thye..
Gjithshka e kotë, gjithshka e marrë
S’ka asgjë të shenjtë, s’ka as lutje
Ka parajsë t’mbushur me kusarë
Dhe klithje ere prej lugjeve, tutje…
Është gabim vëllezër, gabim i marrë
Është një gënjeshtër pafund, pakrye
Prej së përtejmes, askush më parë
Në k’të botë flamujsh sërish u kthye
K’tu mbi kodër, ku tufani rreh
K’tu flamujt era në shesh i ulë
Kockën e shpirtit unë po e mpreh
Në mish të kohës atë ta ngul...
© Leonard Seiti
No comments:
Post a Comment