Friday, August 6, 2010

Letër nga askundi 2


Kështu o mik, në patsh dhe kohë
E mund t’më ndjekësh gjer në fund
Do të flas për veten se, domosdo
Për të tjerët unë të flas ,nuk mund

Do të flas për udhën që më dha fati
Dhe për k’të, xhaketën time t’vjetër
Po t’isha lindur pasanik, k’tij shtati
Do t’i kisha veshur një kostum tjetër !

Sa herë kam rënë për tokë, jam vrarë
Po aq herë jam ngritur i stërmunduar
Ç’do herë më i fortë, më i ri se më parë
Me zemrën-shkëmb, shpirt-rrebeluar

Por, s’i jam qarë kujt mik, as Zotit
Gjithshka kam mundur e kam bërë vetë
Ç’ti qahesh vallë kujt, që qysh motit
S’është bërë më i gjallë, ka dymij vjet !

Në mes të t’errit mik, kur nata çjerr
Dhe heshtja vdekjes më shumë i ngjan
Unë hedh një dorë në shpirt dhe nxjerr
Një zjarr mjekrrosh, zjarr babaxhan

Një zjarr që të ngroh, jo veten time
Jo për t’arritur i gjallë mëngjesin tjetër
Por një zjarr ku të djeg gjith jetën time
N’u dasht për t’ngrohur k’të botë t’vjetër

Madje, dhe shpirtin mik, kurrë se kursej
E prej dhimbjeve nuk e ruaj aspak
Me ca fat dhe unë si Aleksandër Sergej
S’do t’arrij atë moshë kur të quajn, plak !

© Askushi / Leonard Seiti

No comments: