Tuesday, November 23, 2010

Njeri prej malli !


Nuk kam më mall, e mbarova,
T'gjith mallin që koha më dha
S’më dhëmbin më plagët që mora
As shpirti që prej duarsh më ra

Nuk kam më mall për vegjëlinë
Për fushat e blerta në Maj
Për shtëpinë e rrethuar me ullinjë
Ku shkon era e vjeshtës të qaj

Për këngën e Vjosës në mbrëmje
Për hënën që varej mbi çati
As për bletën që punon plot ëndje
Në pranverë kur flakëron gjeth’i ri

As për rrugët e vjetra ku u rrita
Për kopështin e fiqëve tek kroi
Shkollën që herë-herë s’kish drita
Dhe burimin e ftohtë ndanë përroi

S‘kam më mall për malin me borë
As për nënën dhe babën, të gjallë
As për gjyshin dhe gjyshen e gjorë
Tashmë i tëri jam k’thyer në mall…

© Leonard Seiti

No comments: