Tuesday, December 14, 2010

***


Më erdhën dje, për vizitë
Disa kujtime nga kohë e shkuar
Ca prej tyre, veshur me dritë
Të tjerë me gjethe supet mbuluar

Ndejtëm gjatë, me dritën ndezur
Pranë një gote shuanim etjen
Si pijanecë, krejt të dehur
Folëm për jetë, qeshëm me vdekjen

U ngrit m’i vjetri prej tyre e tha
Pa dëgjoni t’ju tregoj si linda unë
Buzëqeshur një çast në sy më pa
Hëm, ja ktheva, ish ditë e shtunë !

E kështu me radhë gjer tek m’i riu
Ai që lindi një ditë më parë
Të gjith u fikëm, si flakë qiriu
Kur ves’e njomë zbriti mbi bar !

© Leonard Seiti

No comments: