Tuesday, December 28, 2010

***



Ç’më thua kukuvajkë me at’ zë të grisur
Për dashuri e poetë të zbardhur si bora
Nata ime harenë si perde ka qendisur
Buzëqeshje pranvere i rrjedhin nga dora

Ti shpirtin s’ma njeh, as rrahjet e zemrës
Vërtet nuk jam më i ri si më parë
Por, kënga ime i ngjan gjoksit të hënës
Rrëmben ç’do vështrim t’ëmbël, djaloshar

Mos më kujto më kot trishtimin, kukuvajkë
Me të unë kam ngritur dolli disa herë
Ja njoh mirë zemrën e shpirtin në flakë
Si vjeshtë flokëkuqe që krihet në erë

I kam dhënë lamtumirën trishtimit, ka kohë
Vdekjes nuk i trembem aspak nëse vjen
Me jetën si dashnorë tek puthem ngado
Nëpër rrugët e qytetit mes njerëzve më gjen

Më mbush me jetë ç’do buzëqeshje fëmije
Ç’do shtrëngim duarsh me miq e mikesha
Qenëve rrugaç i’u fal përkëdhelje dashurie
Ndërsa tallem e qesh me priftërinj e murgesha

Nuk mbaj këpucë me llustër e kravatë
As këmishë të shtrenjtë me butona rubini
Brënda saj do ndjehesha si një dru i thatë
Si një kufomë pajetë, me veshje qefini

Pasuria s’më josh, por dhe i varfër s’jam
M’është e shtrenjtë lodhja e orëve t’vona
Nuk i vyejn diamantet një shpirti sharlatan
Më shumë se plehu që rrit sythet e njoma

Dashuria ! Ç’po më vjen për të qeshur
Ç’ma kujton prap’ atë që shkoi e më s’vjen
Prej lules së sajë në shpirt më kanë mbetur
Ca kujtime të zverdhura si gjethet që bien

Më ndodh të puth ndonjë çupkë në bar
Po me at’ vrull t’dikurshëm q’e ruaj në gji
E që shpirti sërish t’mos ndez ndonjë zjarr
Brënda gotës e hedh bashkë me verën, e pi

S’di t’i këndoj dashurisë, nuk jam as poet
Kur kujtoj vegjëlinë më mbështillet një mall
Më kanë rënë ca flokët, kjo ësht’ e vërtetë
Prap shpirti im i përverstë, vdekjes frikën i kall.

© Leonard Seiti

1 comment:

xhenius said...

mos e kujto aq shume dashurine e humbur,s'ke humbur asgje,je i teri plot me te,aq sa na dhuron edhe ne!
keshtu qofsh gjthmone,pleh per sythe te reja!