
Zotëri, kjo nuk është jeta ime
Atë e humba në rrugët e fatit
Ca ëndërra të mbetura jetime
Më vajtojnë në breg t’Eufratit
Ca të tjera t’etura më mbetën
Lot’i shpirtit dot etjen s’ua shoi
Nuk di sot të them të vërtetën
As t’Ju gënjej nuk di, po njëlloj...
Mund të them se, ky që shihni
I ndryshkur, i pluhrosur nga koha
Është një trup me veshje qefini
Një njeri që në jetë nuk e njoha
Mund të them se, gruaja që doja
Si kjo natë, e kishte flokun e zi
Ndaj mëngjeseve kurrë s’guxoja
Prej gjumit të zgjohesha përsëri
Por ja që ndodhi, u rrëzova n’ërë
Si gjeth që vjeshta e merr me vete
Mbi k’të rrugë kanë shkelur të tjerë,
Trupa të ftohtë pa asnjë shenjë jete !
Ndaj zgjimet zotëri, më tmerrojnë
Kjo që shihni s’ësht’ aspak jeta ime
Dua mbrapa mëngjeset që s’zgjojnë
Dua vdekja t’më hedh n’ëndërrime.
© Leonard Seiti
No comments:
Post a Comment