
Mik’i vjetër, të solla ndër mënd
K’të natë vjeshta mbi supe më rri
Vajtim’i erës lugjeve, më trëmb
I ngjaj zogut të humbur nën shi
Më kish mbetur thellë në zemër
Nga kohë e shkuar që s’kthehet më
Një nga ato këngët tona, pa emër
Por s’mund ta këndoj, nuk kam zë
Më kish mbetur dhe pak klorofilë
Thellë në shpirt, si gjeth’ i pa rënë
Ndaj mora penë, e ndeza kandil
Të shkruaj gjithçka s’të kam thënë
Poshtë mermerit, ku ti flë i qetë
Erë e vjeshtës dot gjumin s’ta prish
Streha ime është një varkë në det
Deti vet, është një lodër stuhish
Kohë të tjera janë k’to miku im
Dallëndyshe më strehëve nuk ka
Dhe një pendë q’e ruaja kujtim
Bashkë me gjethet e vjeshtës më la
E kam lënë atje larg Shqipërinë
Si një livadh të gjelbër në hënë
E braktisa dhe unë strehën, çatinë
S’di as vetë se në ç’ëndërr kam rënë
S’di në do zgjohem mëngjesin tjetër
Kohë të kqija janë këto vëlla
Në u zgjofsha do të këndoj, patjetër
Pa çka se dhe zëri më la.
...............
...........
.......
© Leonard Seiti
No comments:
Post a Comment