
Koka ime mjegullon
Si lugina përtej
Tym’i bardhë m’helmon
Gjakun ndër dej
Ka dhimbje mbi gjeth’
E njoh plagën e njomë
Shoh lotin që bredh
Por askush nuk beson
S’mundem ta ndal
As mundem ta thaj
Jam ikona e vjeshtës
Në pikturën e saj
Ndaj duart më loten
E fletët më lagen
Janë netët që koten
Dhe ditët që plaken
Ësht’ foshnja e dritës
Që lind e më s’vdes
Por unë jam i dënuar
Gjith‘ jetën ta presë
Ndaj hesht’ si gurë
I vendosur mbi varr
Vajtoj mbi ëndrrën
Që ende s’kam parë
S’mund të ndal kohën
Ndaj shpirti më qanë
Mbrëmjet na njohën
Mëngjeset na ndanë
Brënda ëndrrës jetoj
Më je ëndrra ti vetë
Thua vallë do t’mundem
Të zgjohem vërtetë!?
© Leonard Seiti
2 comments:
:) :) :)
:P :D :P
Post a Comment