Gjithkush sot tregohet dijetar mëndje-artë!
Po kush është më bilbili, kë vallë të dëgjojmë ?
E ka thënë dhe Homeri, që nga kohë e lashtë:
Do të vijë një ditë mes filozofësh do jetojmë!
Ndaj, po presë të vijnë të gjith sëfundmi
Nga shtegtimi i largët diku mes mendimesh
Të zgjojnë Homerin, që ka kohë e ka zënë gjumi
Mbi të bukurën Iliadë, i zhytur ëndërrimesh.
Le të thotë pastaj më i pari, kush të dojë,
Se unë jam më shurdhi që gjendet mbi botë
E të derdhin me penë-ari mijëra litra bojë,
Fletët e vjeshtës t'i ngjyrosin krejt kot'.
Gjethes së shiut do rri t’i mbaj vesh i qetë
Mes pyjeve, ku era çjerr lëkurën në gjak
Pastaj, me Poseidonin do t’dal tej në det
Për një valle me dallgët, i dehur, krejt tapë.
Dhe kur të ketë ardhur ai, çasti më kulmor,
Kur të tingëllojë e paqtë dhe e fundit notë
Do i puth dorën valës, si t’isha dashnor
E do rend thellësive, në t’panjohurën botë
Atje, ku mbretëron qetësia absolute,
Ku peshqit në heshtje përcjellin dashuri,
Ku perlat hedhin valle me alga e molusqe
E s’ka pendë-artë që shkruan marrëzi...
© Leonard Seiti
No comments:
Post a Comment