Tuesday, July 23, 2013

***


Këputi po deshe dhe lulet
Lulet në kopështin e Edenit!
Mua më pëlqejnë gënjeshtrat
Ato që thonë të vërteta të mëdha
Ato që mbijnë mbi varre, mbi eshtrat
Ku një e vërtetë e gënjeshtërt u tha!

-Sa kohë është bërë, sa kohë!?
Kam frikë se një jetë s’më mjafton!
Këput’ma dhe zemrën po deshe
K’të kafshë që mbaj lidhur në litarë
Mbi çarçafë të zhubrosur ka fjetur
Në shtrate të ngrohur më parë…

-Ku je zgjuar sot, dje, ku je zgjuar!?
S’mbaj mend! Çdo ditë një rrugë tjetër!
Stomaku i natës treti gjurmët e mia…
Nga cicërima ëndrrash shpirti më zien
Mjegulla diku larg mërgoi nga uria
Ndërtesat përkulen e pijnë ujë në liqen

Më ndje, kam një plagë në kraharor,
Një prej atyre gjërave që la mbas qyteti!
Ja, ai atje është zëri im…
Ja njoh mirë sytë kureshtar prej fëmije!
Thonë, se lulet e shkurtit kur mbijnë
Lëshojnë lotë me aromë pavdekësie…

Ndaj, vazhdo më tej, s’kam ç’të shes
Janë pavlerë përgjigjet e mia lakuriqe…
Në rrugën tjetër tregëtojnë gjithçka
Në rrugën tjetër dhe shpirti kushton pak
Në gjet’sh dhe tëndin aty, s’ësht’ hata!
Shpirtin tim dje e bleu një plakë!

-Pse gënjen, më thuaj, pse gënjen!?
Më pëlqejnë gënjeshtrat që thonë të vërteta!
Në derë, dimri me dorë të hekurt troket.
S’ka xhama të thyer,  asnjë damar i prerë…
Përtej liqenit që ha yje, bejroza po pret
Zogun e blertë që krahët i’u thyhen në erë…

Asgjë e çuditëshme, më beso, asgjë.
Një gur u frikësua kur e thirra në emër!
Një mik i vjetër po numëronte hapat e hënës
Ndërsa këndonte nën zë një këngë nga vegjëlia
Një nga ato ninullat e ngrohta, t’ëmbla, të nënës
Një nga ato pak rreshta ku ripërtërihet gjithësia… 

Qyteti në kockë më ka ngulur hijen…
Oh! Hija! Asgjë nuk dhemb më shumë se ajo!
Sytë e mi përtypin dhembë kujtimesh
Sa herë dielli shkon të flerë në bark të liqenit
Për t’më këputur në mëngjes lule ëndërrimesh
Porsi Eva gjethet në kopështin e Edenit.


© Leonard Seiti. 06/02/2012 3AM
"Ma io senza legge rubai in nome mio, quegli altri nel nome di Dio."

No comments: