Friday, August 4, 2017

A je mirë?


A je mirë?
Unë vetëm gjumin s’gjej dot
dhe pse nën qerpikë ka ngrirë.
Bën vapë, ndoshta shkrin sot.

Po ti a ke vapë?
Mendimet më lagen në djersë.
I shtrydh unë, sërish, e prapë,
Çdo mbrëmje, natë a mëngjes.

Shikon ëndërra ti?
Unë renda njerën ta kapë.
M’u bë mall, m’u struk në gji
E çelës nuk gjejë që ta hapë.

Po etje, ke etje ti?
Mua drita e yjeve s’më mjafton
Se dua të dehem e pi
Prej gjirit të çastit që mungon.

Po uri, a ke uri?
Unë ha si miu, çdo ditë nga pak.
Thonë se dashuria e një burri
Më parë hedh rrënjë në stomak.

A je mirë?
Më fal se koha vrapon
Por unë s’kam gjetur ilaçin
Që plagën tënde shëron.

© Leonard Seiti


No comments: