
Një natë më parë, kur ti nuk ishe,
Kur ëndrrat ende flinin qetë
Një pikë vesë, një vogëlushe
Më zbriti lehtas përmbi fletë
Pashë në syt’ e sajë, t’më ikë
Gjumi, larg, për s’di se ku !
Dhe rashë, u treta n’atë pikë
Ndërsa gjumi rrugëve, kuturu !
E porsi vesa, brodha fletëve
Gjersa mbrrita deri k’tu
Ndoshta, me mua, ti shuan etjen
Që brënda mbajnë sytë e tu !
Dhe kur të jem sosur krejt
Kur t’mos ketë nga unë aspak
Lëri sytë, të ndriçojnë qiejt
Dhe globin mbarë, rreth e qark.
Nëse sërish, do të ndjesh etje
Më kërko mëngjesin tjetër
Diku mbi flokë, po s’më gjete
Kërkomë mbi fletë, do të jem patjetër.

© Leonard Seiti