Thursday, February 28, 2008

Me vesën trazuar.



Një natë më parë, kur ti nuk ishe,
Kur ëndrrat ende flinin qetë
Një pikë vesë, një vogëlushe
Më zbriti lehtas përmbi fletë

Pashë në syt’ e sajë, t’më ikë
Gjumi, larg, për s’di se ku !
Dhe rashë, u treta n’atë pikë
Ndërsa gjumi rrugëve, kuturu !

E porsi vesa, brodha fletëve
Gjersa mbrrita deri k’tu
Ndoshta, me mua, ti shuan etjen
Që brënda mbajnë sytë e tu !

Dhe kur të jem sosur krejt
Kur t’mos ketë nga unë aspak
Lëri sytë, të ndriçojnë qiejt
Dhe globin mbarë, rreth e qark.

Nëse sërish, do të ndjesh etje
Më kërko mëngjesin tjetër
Diku mbi flokë, po s’më gjete
Kërkomë mbi fletë, do të jem patjetër.



© Leonard Seiti

Sunday, February 24, 2008

Nostalgjia



"Rekomandoj ta lexoni duke dëgjuar melodinë në videoklipin e mësipërm"


Thell në shpirt, një melodi
Zgjon të shkuarën, në kujtesë
Dhe mbushet mbrëmja, nostalgji
Për një lastonjë, një vetull zezë

Një dritë rrjedh, porsi ujvarë
K’të mbrëmje t’vonë, mbi gjeth’
Nën qiellin stolisur, margaritarë
Kujtime blu, kjo mbrëmje derdh

Përzjerë me dritë, fllad i lehtë
Gjetheve, mbrëmja belbëzon
Dhe vargje derdhen nëpër fletë
Si vesë kristal, që mëngjesin zgjon

Gonxhe Yjesh çelur, Maj
Ç’bukuri, lëndinës tej
Përzjerë me yjet, sytë e sajë
K’të mbrëmje t’vonë, kërkoj të gjej

Dhe gjum në sy, kjo natë nuk ka
Nga shpirti, kulluar, tinguj rrjedhin
Përzjerë me tingujt, kujtime blu
Lidhur përdore, me natën bredhin


© Leonard Seiti

Tuesday, February 19, 2008

Dua të di.

Më fol, gjeth i erës, se dua të dëgjoj
Historitë, që koha djepeve i tundi
Më fol, për njerëzit, fatet s’janë njësoj
Dikush djepin qysh fëmij e humbi

Me fol, gjeth i erës, ç’ke pare tutje vallë !?
Ç’fshihet në sytë e njerezve në botë ?
Hëna që sonte bregut ka dale
Heshtur, si nuse, fjalë nuk më thotë !

Më thuaj, gjeth i erës, në trupin tënd të ftohtë,
Sa zëra fëmijësh janë tretur, janë harruar ?
Më trego, për lutjet e tyre , për ëndrrat
Më trego, për sytë e tyre të vetmuar.

Më thuaj, gjeth i erës, ç’ndodh përtej bregut,
Një botë më larg që këtu, ç’ndodh vallë ?
Ëndrra fëmijesh të thurura ndër shekuj
Më fol, për shpresat që i mbajten të gjallë.

Më fol, gjeth i erës, se dua të dëgjoj
Më fol nga zemra, se me zemër po të jepem
Si dashnor besnik, më lër të ledhatoj
E të humbas sonte, në zërin tënd të tretem.

© Leonard Seiti

Tuesday, February 5, 2008

Mëngjeseve të jetës.



Unë vrapova mëngjeseve të jetes
Nëpër lëndina djaloshare
Në kërkim të kuptimit, të së vertetes
Humbur në magjinë e mbrëmjeve tinzare

Unë renda në brigje detesh,
Qiellit kërkova, ca shkronja, ca fjal
Në pyje, mbi qëlima fletësh
Pika vese derdhura,mall.

Në mëngjeset e pranverës, si vesa
Mbi petale, mbi ëndrra u zgjova
Në vapen e verës, si djersa
Lumenjëve të jetës vërshova

Në shpirt, një kovë lëshova,
Në fundin e pusit, me ujë
Vjeshtën nga gjumi e zgjova
Me erërat, plot zhurmë e bujë

E dimrit me mjekërr të gjatë
Ja zbeha të ftohtin në sy
Netëve, me hënën e artë
Vallzuam mbi borë ne të dy

Dhe nga shpirti, me kovë, nxora yje
Për netët e zeza, pa hënë
E humba diku nëpër pyje
Si vesa, mbi fletë duke rënë

Dritës së diellit, mëngjeseve
Rrezen ja putha, si lulen
Qerpikëve, malluar, kujtime
Ngadal, vijnë dhe më ulen

Fëmijria, ç’bukuri përrallore
Në prehrin e gjyshes, mbështetur
Kujtime, lidhur përdore
Nga koha, si bora të tretur

Shtatëmbëdhjet vjeç, dhe ja
Një rrahje zemre, një puthje
Fjalë, pa kuptim, dhe heshtje
Pëshpëritje në muzgje, dhe lutje.

Por, jeta gënjeshtër, dhe ndodhi
Në puthje, u deha gjithkund
Sot, nga një shishe e vjetër,
Një gotë helm, e ktheva me fund.

© Leonard Seiti

Sunday, February 3, 2008

Dhe kthehem sërish

Kjo është diça që e kisha lënë në mes
Po e nis sërish,veç një bote më larg
Më kujtohet e para,ishte herët mëngjes
Tani është bërë vonë,është errur,është dark!

Tani, koka më rri e rëndë si gur
Dhe ngreh sytë nga hëna ti shkëpus ndonjë fjal
E nis të flas me detin,si bëja dikur
Pastaj në duet këndoj me një valë

Më përshëndet një pulbardhë tek e vështroj ziliqar
Shkon të fler e mira në fole të saj
Të kisha krahët e saj,të fluturoja veç një herë
T'i bija botës rreth, e qiellit skaj më skaj

Kjo është diçka që e kisha lënë në mes
Pa dashur harruar diku në vetmi
Butësisht, si nata, lë mbi lule ves
Dhe e filloj sërish,si vjeshtë me shi.

Ndaj vendosa të hedh një kovë,thell,në shpirt
Dhe prej andej ujë kristal të nxjerr
Ta bej shpirtin re,të murrme,të hirt
Dhe uji i shpirtit tim porsi shi le të bjer

Kjo është diçka që e kisha lënë mbas dore dikur
Si çadrën e lagur nga shiu mbas dere,
Si pallton e vjetër,të varur në mur,
Si vesën mbi lule një mëngjes pranvere.


Dhe kthehem sërish ..........................


© Leonard Seiti

Dita ime

Dhe sotë hipa në të njëjtin tren.
Me ikjen e natës,
në kopshtin e ëndrrave, mbeta vetëm unë,
roja i tyre.
Mëngjesin që sytë e globit i lahu me vesën kristal,
e mora përdore,
si të ish fëmij ende pa rritur.
Në lumin e ëndrrave të mia ia lava sytë
dhe e putha. – Mirmëngjes.

Dhe sotë hipa në të njëjtin tren.

Rrezen e parë të drites e mora në sy
dhe hapat ndoqën rrugën e përditshme të jetës.

Mjaft heshta një natë të tërë, ndaj
Zërit i dhash krah,dhe i thash :- fluturo
Bashkë me blerimin i thash zemres:-këndo.

E nisa kështu dhe dita mu bë e lehtë si ajri.
Megjithëse në rrugë më pengoi një gurë,
por s’ka gjë, nga rruga s’mundi të më nxjerrë
se isha i lidhur fort me ndërgjegjen.

Dalë nga dalë dhe stacioni po afron.
Ja- atje mbas malit ku dielli bje të flër është ai.

Dhe sote hipa në të njëjtin tren,
dhe ai me solli deri në mbrëmje
Tani po flë, për tu zgjuar sërish nesër.

© Leonard Seiti

*** C

I putha mëngjeset me vesën kristal
I putha mesditët me rrezen e ngrohtë
I putha mbrëmjet në muzg, plot mall
Veç ty,ty kurrë s’të putha dotë.

© Leonard Seiti

Sonte

Sonte do të hesht, s’do të them asnjë fjalë
Ti më ledhato, si vala bregun në lumë.
Sonte. Ti hesht, mos thuaj asnjë fjalë
Dhe unë do të puth, si vesa lulen, natën në gjumë .

© Leonard Seiti

*** B

Më thuaj lule, kush vallë,
Syve trishtim ju paska hedhur?
Qiellin tënd, kush e ka vrarë?
Diellin tënd kush e ka vjedhur?

Kush ta vodhi ty blerimin!?
Vjeshta ndoshta, apo, kush!?
Mbi ata sy, kush guxoi!
Të hidhte ujë, porsi mbi prush?

Në qofsha unë, qofsha mallkuar
Le të paguaj për të gjitha
Ne ferr të digjem, përvëluar
Se të dashuroja s’dita.

Por, në qoftë dikush tjetër
Më ler të jem pranverë për ty
Se në botë s’dua gjë tjetër
Veç të vdes për ata sy.

Më ler të bredh mbi faqen tënde
Përmbi qerpik të kacavirrem
Porsi trumcak, në ditë prilli
Të këndoj, për ty, të ngjirem

Më ler të shkrihem porsi bora
Të rrjedh rrëkeve me nxitim
Që, kur të ndjejnë buzët etje
Ti freskosh, me shpirtin tim.

© Leonard Seiti

Në plazh

Sa e bukur më je flokëzeze
Të lutem vishu se më ç’mënde
Rreze diellit lakuriq
Bje e puth lekurën tënde

Si t’ia bej që të të prek
S’po mundem të duroj më shum
Thua po të bëhesha det
Do të laheshe ti tek unë?

© Leonard Seiti

Saturday, February 2, 2008

*** A





Më mungon, ai afsh pranvere
I mëngjeseve me këngë bilbili
Vjeshtë në shpirt, nën huqe ere
Plot nostalgji mëngjesesh prilli

Më mungon ai zë i gardelines
Vështrimi yt magjik, i qetë
Ajo aromë e trëndelinës
Dhe loti yt, si vesë mbi fletë

Oh, jeta, ç’gënjeshter pa fund !
Një degëz dashuri, dikur plot blerim
Sot gjetherënë, erë e vjeshtës e tund
Me nostalgjitë e prillit, mbushur trishtim.

© Leonard Seiti